Add parallel Print Page Options

Kur tërë populli mbaroi së kapërcyeri Jordanin, Zoti i foli Jozueut, duke i thënë:

"Merrni nga radhët e popullit dymbëdhjetë burra, një për çdo fis,

dhe u jepni këtë urdhër, duke thënë: "Merrni dymbëdhjetë gurë që këtej, në mes të Jordanit, pikërisht në vendin ku u ndalën këmbët e priftërinjve, i merrni, me vete matanë lumit dhe i vendosni në vendin ku do të strehoheni sonte"".

Atëherë Jozueu thirri dymbëdhjetë burrat që kishte zgjedhur ndër bijtë e Izraelit, një për çdo fis,

dhe u tha atyre: "Kaloni para arkës së Zotit, Perëndisë tuaj, në mes të Jordanit, dhe secili prej jush të mbajë në kurriz një gur, simbas numrit të fiseve të bijve të Izraelit,

me qëllim që kjo të jetë një shenjë midis jush. Kur në të ardhmen bijtë tuaj do t’ju pyesin, duke thënë: "Ç’janë për ju këta gurë?,"

ju do t’u përgjigjeni kështu: "Ujërat e Jordanit u ndanë para arkës së besëlidhjes të Zotit; kur ajo kaloi Jordanin, ujërat e tij u ndanë dhe këta gurë do të jenë për bijtë e Izraelit një kujtim për jetë"".

Bijtë e Izraelit bënë pikërisht ashtu si i kishte urdhëruar Jozueu: morën dymbëdhjetë gurë në mes të Jordanit, ashtu si e kishte porositur Zoti Jozueun, në bazë të numrit të fiseve të Izraelit, dhe i morën me vete matanë lumit në vendin ku do të kalonin natën, dhe i vendosën aty.

Jozueu ngriti gjithashtu dymbëdhjetë gurë në mes të Jordanit, në vendin ku ishin ndalur këmbët e priftërinjve që mbanin arkën e besëlidhjes; dhe aty kanë mbetur deri më sot.

10 Priftërinjtë që mbanin arkën u ndalën në mes të Jordanit deri sa u plotësua tërësisht ajo që i kishte urdhëruar Zoti Jozueut t’i thoshte popullit, në bazë të të gjitha atyre që Moisiu i kishte urdhëruar Jozueut. Dhe populli u nxitua të kalojë lumin.

11 Kur tërë populli mbaroi së kaluari, arka e Zotit dhe priftërinjtë kaluan në prani të popullit.

12 Bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe gjysma e fisit të Manasit kaluan të armatosur në krye të bijve të Izraelit, ashtu siç u kishte thënë Moisiu.

13 Rreth dyzet mijë njerëz me veshje lufte kaluan para Zotit në fushat e Jerikos, gati për të luftuar.

14 Po atë ditë, Zoti e bëri të madh Jozueun në sytë e tërë Izraelit, dhe banorët e tij patën frikë nga ai ashtu si patën frikë nga Moisiu gjatë gjithë ditëve të jetës së tij.

15 Pastaj Zoti i foli Jozueut dhe i tha:

16 "Urdhëro priftërinjtë që mbajnë arkën e Dëshmisë të dalin nga Jordani".

17 Atëherë Jozueu urdhëroi priftërinjtë duke u thënë: "Dilni nga Jordani".

18 Dhe ndodhi që kur priftërinjtë që mbanin arkën e besëlidhjes së Zotit, dolën nga Jordani dhe tabanët e këmbëve të tyre shkelën tokën e thatë, ujërat e Jordanit u kthyen në vendin e tyre dhe filluan të rrjedhin si më parë në lartësinë e brigjeve të tij.

19 Populli doli nga Jordani ditën e dhjetë të muajit të parë dhe ngriti kampin e tij në Gilgal, në skajin lindor të Jerikos.

20 Ata dymbëdhjetë gurë që i kishin marrë nga Jordani, Jozueu i çoi në Gilgal.

21 Pastaj u foli bijve të Izraelit dhe u tha atyre: "Kur në të ardhmen bijtë tuaj do t’i pyesin etërit e tyre duke thënë: "Ç’janë këta gurë?,"

22 ju do t’ua bëni të ditur bijve tuaj, duke thënë: "Izraeli e kaloi këtë Jordan në të thatë,

23 sepse Zoti, Perëndia juaj, i thau ujërat e Jordanit para jush deri sa të kalonit, ashtu si Zoti, Perëndia juaj, veproi në Detin e Kuq, të cilin e thau para nesh deri sa të kalonim,

24 me qëllim që tërë popujt e tokës të pranojnë që Zoti ka dorë të fuqishme, dhe që ju të keni gjithnjë frikë nga Zoti, Perëndia juaj"". i Pashkës