Add parallel Print Page Options

97 Zoti mbretëron; le të gëzohet toka dhe le të ngazëllohen ishujt e mëdhenj.

Re dhe terr e mbështjellin; drejtësia dhe e drejta janë në themel të fronit të tij.

Një zjarr i shkon përpara dhe i zhduk armiqtë e tij rreth e qark.

Vetëtimat e tij ndriçojnë botën, toka i shikon dhe dridhet.

Malet shkrihen si dylli përpara Zotit, përpara Zotit të të gjithë tokës.

Qiejtë shpallin drejtësinë e tij dhe tërë popujt shohin lavdinë e tij.

U ngatërrofshin të gjihë ata që u shërbejnë skulpturave dhe ata që mburren me idhujt; rënçin përmbys përpara atij të gjitha perënditë.

Sioni ka dëgjuar dhe është gëzuar për to, dhe bijat e Judës janë gëzuar me gjykimet e tua, o Zot.

Sepse ti, o Zot, je Shumë i Larti mbi tërë tokën, ty të përlëvdojmë mbi gjithë perënditë e tjera.

10 Ju që e doni Zotin urreni të keqen! Ai ruan jetën e shenjtorëve të tij dhe i çliron nga dora e të pabesëve.

11 Drita ka dalë për të drejtin dhe gëzimi për ata që janë të drejtë nga zemra.

12 Ngazëllohuni tek Zoti, o njerëz të drejtë, dhe lëvdoni emrin e tij të shenjtë.